Skip to content

Seminari “Fjala shqipe në gjuhë të huaja”, përkthyesit diskutojnë sfidat e përkthimit dhe ruajtjen e referencave kulturore

Punëtoritë e organizuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën u përqendruan në cilësinë e përkthimit nga shqipja dhe formimin e përkthyesve, ndërsa dita e parë u përmbyll me një panel me shkrimtarë shqiptarë.

Seminari i përkthimit “Fjala shqipe në gjuhë të huaja” ka vazhduar me punëtoritë “Tungjatjeta” dhe “Udhërrëfyesit kulturorë – Gjirokastra”, të organizuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD), transmeton albinfo.ch.

Punëtoritë u zhvilluan në dy seanca secila, nën drejtimin e Mimoza Hysës, Aljula Jubanit dhe Manjola Nasit. Përkthyesit dhe mentorët trajtuan shembuj konkretë që lidhen me shqiptimin, gramatikën, lojërat mësimore, emërtimet, lojërat e fjalëve dhe referencat kulturore.

Si pjesë e programit të botimeve dygjuhëshe të QBD-së, aktivitetet synojnë të përmirësojnë cilësinë e përkthimit nga shqipja dhe të mbështesin formimin e përkthyesve, duke ndërthurur përvojën profesionale me kontributin e brezit të ri të diasporës.

Dita e parë e seminarit u përmbyll me një panel shkrimtarësh, i cili krijoi hapësirë për komunikim të drejtpërdrejtë mes autorëve dhe përkthyesve. Përmes pyetjeve, përgjigjeve dhe leximeve të fragmenteve nga krijimtaria e tyre, paneli iu kushtua shkrimtarëve Ben Blushi, Rita Petro, Vera Bekteshi dhe Ardian Vehbiut, i cili u bashkua në internet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Seminari vijon me aktivitete që synojnë të forcojnë lidhjet mes gjuhës shqipe, letërsisë dhe diasporës, si dhe të mbështesin përhapjen e krijimtarisë shqiptare në gjuhë të huaja./Albinfo.ch