Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar kufizime të reja ndaj protestave, në prag të demonstratave të paralajmëruara për të shtunën, pas përleshjeve të dhunshme të 17 tetorit.
Macron deklaroi se do të lejohen vetëm demonstratat e organizuara nga sindikatat, ndërsa autoritetet do të përcaktojnë itinerare alternative për të mbrojtur qendrat e qyteteve, dyqanet dhe ndërtesat publike.
Sipas Ministrisë së Brendshme, angazhimi i forcave të sigurisë të shtunën do të jetë 20 për qind më i lartë se javën e kaluar. Në terren pritet të dislokohen automjete të blinduara, ushtarë dhe njësi speciale të policisë e xhandarmërisë. Në Lion janë ndaluar të gjitha demonstratat e planifikuara për këtë ditë, ndërsa kufizime janë vendosur edhe në qytete të tjera.
Macron akuzoi grupet e së majtës ekstreme se kishin synuar të destabilizonin Republikën dhe kërkoi masa të rrepta ndaj përgjegjësve për dhunën. Ndërkohë, një pjesë e opozitës së majtë i ka kritikuar kufizimet, duke i cilësuar si cenim të lirive qytetare, ndërsa e djathta kërkon reagim më të vendosur nga qeveria.
Në një zhvillim tjetër, autoritetet arrestuan një të dyshuar të dytë për zjarrin që shkatërroi një pjesë të bashkisë së Limogesit gjatë protestave të 17 tetorit. Burri, 66 vjeç, dyshohet për dëmtim të pronës në kuadër të një grupi të organizuar, me përdorimin e mjeteve të rrezikshme. I dyshuari i parë po hetohet edhe për tentativë vrasjeje ndaj policëve që ndodheshin brenda ndërtesës kur shpërtheu zjarri.
Autoritetet franceze po përgatiten për një tjetër ditë tensionesh, ndërsa qeveria synon të rikthejë rendin dhe qetësinë pas protestave të dhunshme.