Skip to content

Airbnb ndryshon rregullat: Mysafirët nuk do të detyrohen më të kryejnë punë të lodhshme pas qëndrimit

Rregullat e reja të platformës Airbnb ua ndalojnë pritësve t’u kërkojnë mysafirëve të kryejnë punë që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje, përfshirë ndërrimin e çarçafëve dhe nxjerrjen e mbeturinave.

Airbnb ka rishikuar rregullat e saj për të kufizuar detyrat që pritësit mund t’u kërkojnë mysafirëve në përfundim të qëndrimit. Ndër ndryshimet kryesore është heqja e detyrimit për larjen e enëve para largimit.

Platforma, e cila lidh udhëtarët me më shumë se pesë milionë pritës në mbarë botën, u ka rekomanduar pritësve të zgjedhin nga një listë prej shtatë rregullash standarde të banesës, të cilat do të shfaqen dukshëm në faqen e secilës pronë.

Këto rregulla mund të përfshijnë numrin maksimal të personave të lejuar, orarin e qetësisë, praninë e kafshëve shtëpiake, mënyrën e kthimit të çelësave, si dhe lejimin ose jo të organizimit të ngjarjeve dhe realizimit të fotografive komerciale.

Politika e re, e cila zbatohet për të gjitha rezervimet e bëra më 20 nëntor ose pas kësaj date, synon ta bëjë përvojën e përdoruesve më të thjeshtë. Ndryshimi vjen pas ankesave të shumta të klientëve për rregulla të paqarta dhe kërkesa të lodhshme nga pronarët e banesave.

“Rregullat e banesës i ndihmojnë mysafirët të kuptojnë pritshmëritë e pritësve, por kemi dëgjuar nga komuniteti ynë se ato mund të jenë konfuze, të tepërta dhe të vështira për t’u menaxhuar”, tha një zëdhënës i Airbnb për CNN të enjten.

“Prandaj, i kemi ridizajnuar ato për t’i bërë më të lehta për t’u gjetur dhe më të qarta për t’u përcaktuar, krahas një politike të re që siguron që kërkesat të jenë të arsyeshme dhe pa surpriza”, shtoi ai.

Çfarë nuk mund t’u kërkojnë më pritësit mysafirëve?

Pritësit mund të përcaktojnë kërkesa shtesë krahas rregullave standarde të platformës, por ato duhet të jenë të arsyeshme.

Sipas politikës së re, mysafirëve nuk mund t’u kërkohet të kryejnë punë që kërkojnë “përpjekje ose kohë të konsiderueshme” dhe që zakonisht janë përgjegjësi e personelit të pastrimit. Këtu përfshihen heqja e çarçafëve nga shtretërit dhe nxjerrja e mbeturinave.

Pritësit nuk mund t’u kërkojnë më mysafirëve të lajnë dhe të sistemojnë enët. Megjithatë, ata mund të kërkojnë që enët e përdorura të lihen në lavaman para largimit.

Gjithashtu, ndalohen gjobat e vendosura nga vetë pritësit. Në rast se lindin probleme më serioze, si dëmtimi i pronës, mysafirët pritet të bashkëpunojnë me pritësit për të gjetur një zgjidhje.

Një tjetër element i rëndësishëm i politikës së re është transparenca. Pritësit duhet t’i bëjnë të ditura rregullat e banesës që në momentin e rezervimit dhe nuk mund të shtojnë më vonë kushte të reja.

Po ashtu, ata nuk mund t’u kërkojnë mysafirëve të nënshkruajnë kontrata të veçanta nga marrëveshja e pranuar përmes Airbnb gjatë rezervimit, përveç rasteve të kufizuara të lejuara nga politika e platformës.

Reagime të ndryshme ndaj ndryshimeve

Ndryshimi është mirëpritur nga disa përdorues të platformës.

Ellen, një nënë nga Minesota, e njohur në rrjetet sociale me emrin “Tall Mom Running”, e cilësoi vendimin si të shkëlqyer.

Ajo tregoi se gjatë një qëndrimi të mëparshëm në një pronë të rezervuar përmes Airbnb, një ditë para largimit kishte marrë një listë me detyra që duhej t’i përfundonte, ndërsa ishte kërcënuar me gjobë nëse nuk i kryente ato.

“Ishte punë për një orë të tërë”, tha ajo me të qeshur, duke shtuar: “Një orë pastrim… Jo, faleminderit. Nuk dua të merrem me këtë gjatë pushimeve”.

Megjithatë, jo të gjithë e kanë mirëpritur ndryshimin.

Rossana Imbrogno, pronare e një prone në Romë, e cila në platformë është vlerësuar si e preferuar nga mysafirët, shprehu një qëndrim tjetër në rrjetet sociale.

“Nuk është çështje detyrimi, por edukate”, shkroi ajo.

“Unë i pastroj dhe i heq çarçafët nga shtrati, si dhe i hedh mbeturinat, edhe kur qëndroj në hotel”, shtoi pritësja e vlerësuar me statusin “Superhost”.

Ndryshimet e Airbnb synojnë të përcaktojnë më qartë përgjegjësitë e pritësve dhe mysafirëve, duke shmangur kërkesat e tepërta dhe kushtet e papritura në fund të qëndrimit.