Me rastin e Ditës Botërore të Gastronomisë, albinfo.ch sjell një bisedë me Nezir Nuhijin, shef kuzhine nga Gostivari, i cili prej vitesh ka ndërtuar përvojën dhe profilin e tij profesional në gastronominë zvicerane.
Për Nuhijin, gastronomia është e lidhur ngushtë me kujtesën, familjen dhe vendlindjen. Përvoja profesionale në Zvicër i ka sjellë një qasje më të thelluar ndaj organizimit, disiplinës dhe standardeve të punës, ndërsa lidhja me kuzhinën shqiptare ka mbetur një pikë e rëndësishme e identitetit të tij profesional.
Në vitin 2023, në kuadër të “Best of Gastronomie”, ai u nderua me medalje të argjendtë për arritjet e tij në artin e gatimit.
Në intervistën për albinfo.ch, Nezir Nuhiji flet për fillimet në këtë profesion, sfidat, ndikimin e përvojës zvicerane, shijet që e rikthejnë në fëmijëri dhe dëshirën që gastronomia shqiptare të njihet e të vlerësohet më shumë edhe jashtë vendit.
albinfo.ch: Na tregoni pak për veten. Si lindi pasioni juaj për gatimin?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Me gastronomi merrem prej shumë vitesh. Pasioni për gatimin më lindi nga dashuria për ushqimin dhe nga kënaqësia që ndiej kur shoh njerëzit të ulur bashkë rreth një tryeze duke shijuar atë që kam përgatitur. Me kalimin e viteve kuptova se për mua gatimi nuk ishte thjesht një punë, por një profesion që e bëja me dëshirë dhe përkushtim.
albinfo.ch: Si i kujtoni fillimet dhe kush ju frymëzoi?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Fillimet nuk kanë qenë të lehta, por kanë qenë shumë të rëndësishme për formimin tim. Kam mësuar duke punuar, duke gabuar dhe duke vëzhguar njerëz me më shumë përvojë. Ajo që më ka shtyrë gjithmonë përpara ka qenë dëshira për t’u përmirësuar dhe për ta bërë punën sa më mirë. Në gastronomi nuk vjen kurrë një moment kur mund të thuash se i ke mësuar të gjitha.
albinfo.ch: Cila ishte pjata e parë që gatuat?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Pjata e parë që gatova ishte rosto viçi në furrë, e shoqëruar me pure patatesh dhe perime. E kujtoj ende, sepse për mua ishte fillimi i diçkaje që më vonë u kthye në profesion. Edhe sot besoj se një pjatë e mirë nuk varet vetëm nga receta. Po aq rëndësi kanë mënyra e përgatitjes, përvoja dhe kujdesi që i kushton.
albinfo.ch: Cila ka qenë sfida juaj më e madhe në profesion?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Sfida më e madhe është të ruash cilësinë dhe të njëjtin standard çdo ditë. Gastronomia kërkon shumë punë, orë të gjata, përqendrim dhe përgjegjësi. Përvoja në Zvicër më ka mësuar shumë për organizimin, saktësinë dhe respektimin e standardeve profesionale. Janë pikërisht këto gjëra që të formojnë dhe të bëjnë më të përgjegjshëm ndaj profesionit.
albinfo.ch: Cila është kuzhina juaj e preferuar?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Më pëlqejnë kuzhina të ndryshme, sepse secila ka shijen, traditën dhe mënyrën e vet të të shprehurit. Kuzhina italiane më pëlqen veçanërisht, ndërsa gastronomia zvicerane më ka dhënë shumë në aspektin profesional. Më pëlqen t’i ruaj elementet e traditës, por edhe t’i ndërthur me teknika dhe mënyra më bashkëkohore të gatimit.
albinfo.ch: Cili gatim ju përfaqëson më së miri?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Më përfaqëson një pjatë e thjeshtë, por e realizuar mirë. Për mua rëndësi kanë shija, cilësia e përbërësve dhe paraqitja. Një pjatë nuk duhet vetëm të duket bukur; duhet të ketë karakter dhe të mbahet mend për shijen.
albinfo.ch: Cila pjatë shqiptare ju pëlqen më shumë?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Më pëlqejnë shumë gatimet me brumë, sidomos flija, pitet dhe byreku. Kuzhina shqiptare është shumë e pasur dhe ndryshon nga një krahinë në tjetrën. Ajo që më tërheq më shumë është lidhja që këto gatime kanë me familjen, traditën dhe mënyrën si jemi rritur.
albinfo.ch: Cila shije ju rikthen në fëmijëri?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Shijet e shtëpisë. Gatimet e thjeshta, të përgatitura në familje, janë ato që mbeten më gjatë në kujtesë. Kur i shijon përsëri, të rikthejnë menjëherë te njerëzit, vendet dhe koha e fëmijërisë.
albinfo.ch: Preferoni gatimet tradicionale apo ato moderne?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: I vlerësoj të dyja. Tradita është baza, ndërsa mënyrat moderne të gatimit të japin më shumë hapësirë për krijimtari. Për mua, më e mira është kur këto dy qasje bashkohen pa humbur shijen dhe karakterin e pjatës.
albinfo.ch: Çfarë gatuani me dëshirë për familjen?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Për familjen më pëlqen të përgatis Piccata Milanese me spageti dhe salcë domatesh. Është një nga pjatat që na pëlqen të gjithëve. Kur gatuan për familjen, ndjesia është tjetër, sepse nuk mendon vetëm për teknikën apo punën, por për njerëzit për të cilët po gatuan.
albinfo.ch: Cili përbërës nuk mungon kurrë në kuzhinën tuaj?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Produktet e freskëta janë shumë të rëndësishme, po ashtu edhe erëzat, barishtet aromatike dhe ekuilibri i shijeve. Por mbi të gjitha duhen njohuri dhe kujdes. Edhe përbërësi më cilësor nuk mjafton, nëse nuk di si ta përdorësh.
albinfo.ch: Çfarë ju pëlqen të bëni jashtë kuzhinës?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Më pëlqen të kaloj kohë me familjen dhe miqtë, të njoh njerëz të rinj dhe të shkëmbej përvoja me kolegët. Gjithashtu, përpiqem të ndjek zhvillimet në gastronomi, sepse është një fushë që ndryshon vazhdimisht dhe ku gjithmonë ka diçka të re për të mësuar.
albinfo.ch: Për cilën arritje ndiheni më krenar?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Jam krenar për përvojën që kam fituar ndër vite dhe për vlerësimet që kam marrë për punën time. Medalja e argjendtë në “Best of Gastronomie” në vitin 2023 ishte padyshim një moment i veçantë. Megjithatë, për mua po aq rëndësi ka respekti që fiton me punë dhe fakti që njerëzit e çmojnë atë që bën.
albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për të rinjtë me rastin e Ditës Botërore të Gastronomisë?
Nezir Nuhiji – shef kuzhine: Do të dëshiroja që gastronomia shqiptare të njihej më shumë jashtë vendit dhe që të rinjtë tanë të kishin më shumë mundësi për t’u formuar profesionalisht. Kemi një traditë të pasur dhe shumë gatime të mira, por duhet të punojmë më shumë për t’i prezantuar në mënyrën e duhur dhe në standardin që meritojnë. Të rinjve do t’u thosha të kenë durim dhe të mësojnë çdo ditë. Ky është një profesion që kërkon kohë, punë, disiplinë dhe përvojë. Është e rëndësishme të respektojnë ushqimin, kolegët dhe njerëzit për të cilët gatuajnë.
Duhet ta ruajmë kuzhinën tonë dhe atë që kemi trashëguar, por njëkohësisht të jemi të hapur për të mësuar nga të tjerët. Vetëm kështu mund të ecim përpara dhe ta prezantojmë gastronominë shqiptare denjësisht edhe jashtë vendit.
Për albinfo. ch
Luljeta Ademi





