Skip to content

A mund t’ua ndalojnë shkollat fëmijëve bananet dhe bukën e bardhë në Zvicër?

Shkollat në Zvicër mund të rekomandojnë ushqim të shëndetshëm për fëmijët, por nuk mund t’i trajtojnë këto këshilla si ndalime të përgjithshme. Përgjegjësia për ushqimin që fëmijët marrin nga shtëpia u takon prindërve, raportoi televizioni publik zviceran SRF.

Rasti u bë temë diskutimi pasi një nënë u qortua nga edukatorja e kopshtit, sepse i kishte dhënë fëmijës banane për shujtën e paradites më shumë se një herë në javë. Kritika kishte marrë edhe për sanduiçin me bukë të bardhë.

Sipas përgjigjeve të autoriteteve të pesë kantoneve zvicerane – Cyrihut, St. Gallenit, Bernës, Basel-Landschaftit dhe Aargaut – rekomandimet për ushqyerje të shëndetshme nuk përbëjnë rregulla detyruese për ushqimin që prindërit u përgatisin fëmijëve.

Udhëzimet rekomandojnë ujë ose çaj pa sheqer, fruta, perime dhe produkte nga drithërat, ndërsa ëmbëlsirat, pijet me sheqer dhe ushqimet me shumë yndyrë ose kripë këshillohet të shmangen.

Megjithatë, shkollat mund të vendosin rregulla për aktivitete të përbashkëta, si festimet e ditëlindjeve, ndërsa komunat mund të kenë rregullore të veçanta për ushqimin që ofrohet gjatë kujdesit pas mësimit, ekskursioneve dhe aktiviteteve shkollore.

SRF thekson se rekomandimet për ushqyerje të shëndetshme nuk janë të njëjta me ndalimet dhe se rregullat varen nga situata dhe shërbimi shkollor përkatës/albinfo.ch/