Skip to content

Kosova dhe Austria nënshkruajnë protokoll për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Në Vjenë u mbajt sesioni i gjashtë i Komisionit të Përbashkët për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale, me fokus investimet, energjinë e ripërtëritshme, digjitalizimin dhe zhvillimin industrial.

Kosova dhe Austria kanë ndërmarrë një hap të ri drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike, me nënshkrimin e një protokolli për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, transmeton albinfo.at.

Protokolli u nënshkrua më 14 tetor 2026, në Vjenë, gjatë sesionit të gjashtë të Komisionit të Përbashkët për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale Kosovë–Austri.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dyja vendeve diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në disa sektorë me rëndësi për zhvillimin ekonomik, përfshirë industrinë, investimet, energjinë e ripërtëritshme, digjitalizimin, inovacionin dhe arsimin profesional.

Nënshkrimi i protokollit synon të krijojë kushte më të mira për thellimin e partneritetit ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për bizneset e Kosovës dhe Austrisë.

Bashkëpunimi në këta sektorë konsiderohet i rëndësishëm për nxitjen e investimeve, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve./Albinfo.ch