Skip to content

Policia përdor ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Shqipëri

Protestat e studentëve dhe të rinjve kanë vijuar edhe të premten në disa qytete të Shqipërisë, ndërsa në Tiranë situata është përshkallëzuar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Protesta e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri ka vijuar për disa orë, nën tensione dhe përplasje me Policinë. Në Tiranë, protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku situata është përshkallëzuar pas hedhjes së gurëve në drejtim të policëve dhe objektit të institucionit, përcjell albinfo.ch.

Për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll, Policia ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Disa protestues janë shoqëruar nga zyrtarët policorë.

Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë nisur marshimin nga Rruga e Dibrës drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Gjimnazistë dhe studentë në Shkodër, Lezhë, Burrel, Laç, Elbasan, Korçë e Durrës kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Në Shkodër, të rinjtë kanë gjuajtur me gurë në drejtim të xhamave të selisë së Partisë Socialiste. Ndërkaq, në Lezhë janë raportuar tensione dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe Policisë. Gurë janë hedhur edhe në drejtim të një gjimnazi. Sipas raportimeve, më pas Policia është urdhëruar të tërhiqet për të shmangur përplasjet me të rinjtë.

Gjatë tri ditëve të para të protestave janë shënuar incidente të dhunshme dhe përplasje me Policinë. Protestuesit kanë përdorur sende të forta dhe, sipas raportimeve, kanë tentuar t’u vënë zjarrin institucioneve publike, ndërsa në shënjestër kanë qenë edhe biznese private.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar sërish opozitën se qëndron prapa protestave të dhunshme në Tiranë. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për durim, duke pretenduar se protestat në këtë periudhë lidhen edhe me faktorë që, sipas tij, nuk e duan përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Rama ka vizituar të premten bizneset e dëmtuara nga zjarret e vendosura nga protestuesit një natë më parë në kryeqytet.

“Kjo flakë nuk është e studentëve, edhe këtë sprovë do ta kalojmë bashkë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Gjykata ka vendosur të premten që njëri prej protestuesve të arrestuar gjatë ditës së parë të përplasjeve të mbetet në burg./Albinfo.ch