Skip to content

Jetëgjatësia në Zvicër po rritet me ritmin më të ngadaltë në histori

Jetëgjatësia në Zvicër vazhdon të jetë ndër më të lartat në botë, por ritmi i rritjes së saj është ngadalësuar ndjeshëm. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, gjatë periudhës 2010–2020, jetëgjatësia u rrit me vetëm 1,5 vjet për burrat dhe një vit për gratë, rritja më e vogël e regjistruar brenda një dekade që nga viti 1876.

Për krahasim, gjatë viteve 2000–2010, jetëgjatësia u rrit me 2,9 vjet për burrat dhe 1,7 vjet për gratë. Sipas autoriteteve zvicerane, pandemia e COVID-19 ndikoi në ngadalësimin e këtij trendi.

Në vitin 2025, jetëgjatësia në lindje në Zvicër vlerësohej në 82,7 vjet për burrat dhe 86,3 vjet për gratë. Megjithatë, ekspertët e statistikave nuk presin që kjo shifër të rritet dukshëm më shpejt në të ardhmen.

Përmirësimi i mbrojtjes së të moshuarve nga sëmundjet sezonale, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe shmangia e duhanit konsiderohen ndër faktorët që mund të ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të jetëgjatësisë.