Skip to content

41% e kompanive zvicerane janë përballur me sulme kibernetike

Sulmi ndaj qindra supermarketeve në Francë, ku hakerët manipuluan temperaturat e frigoriferëve, rikthen vëmendjen te siguria kibernetike në Zvicër. Katër nga dhjetë kompani zvicerane të përfaqësuara në një anketim kanë raportuar se kanë qenë viktima të sulmeve të tilla.

Zvicra nuk është imune ndaj rritjes së sulmeve kibernetike. Sipas raportit SwissVR Monitor II/2026, 41 për qind e anëtarëve të bordeve drejtuese të përfshirë në anketim deklaruan se kompanitë e tyre kanë përjetuar sulme kibernetike.

Pasojat më të shpeshta përfshijnë ndërprerjen e aktivitetit dhe rrjedhjen e të dhënave. Sulmet mund të synojnë vjedhjen e informacionit, kërkimin e shpërblimeve financiare apo sabotimin e sistemeve teknike.

Raste të tilla janë raportuar edhe së fundmi në Zvicër. Platforma e shitblerjeve Ricardo njoftoi për qasje të paautorizuar në të dhënat personale të lidhura me porositë e afro 900 mijë përdoruesve. Ndërkohë, arka federale e pensioneve Publica u prek në mënyrë të tërthortë nga një sulm ndaj një furnizuesi të programeve kompjuterike. Të dhënat personale dhe ato të sigurimit pensional mund të jenë komprometuar.

Shqetësimet për sigurinë janë shtuar edhe pas sulmit në Francë, ku sistemet e ftohjes në qindra supermarkete, përfshirë Intermarché, Coopérative U, Monoprix dhe Leclerc, u manipuluan nga distanca. Temperatura në disa frigoriferë dhe ngrirës u ngrit deri në rreth 50 gradë Celsius, duke detyruar dyqanet të asgjësonin sasi të mëdha ushqimesh.

Të pyetura nga transmetuesi publik zviceran RTS, Migros, Coop, Aldi dhe Lidl deklaruan se e marrin seriozisht sigurinë e instalimeve të tyre, por nuk dhanë detaje për masat mbrojtëse dhe pajisjet që përdorin.

Migros konfirmoi se përdor sisteme ftohjeje të prodhuesit danez Danfoss në një numër të kufizuar dyqanesh, por tha se nuk ka informacione që instalimet e saj të jenë prekur nga sulmet në Francë.

Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se pajisjet teknike të lidhura me internetin mund të krijojnë pika hyrëse për sulmuesit, veçanërisht kur përdorin programe të vjetruara ose nuk marrin më përditësime sigurie.