Skip to content

Shqiptari dënohet me katër muaj burg në Austri për këtë arsye

Gjykata e Vjenës e shpalli 32-vjeçarin fajtor për vepra penale që lidhen me dokumente të falsifikuara, por nuk gjeti bazë për ta dënuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në tregtinë e kokainës.

Një shqiptar 32-vjeçar është dënuar me katër muaj burg në Austri, pas një procesi gjyqësor që lidhej me hetimet për një rrjet të dyshuar të trafikimit të kokainës. Megjithatë, gjykata e ka liruar atë nga akuza për përfshirje të drejtpërdrejtë në tregtinë e drogës, transmeton albinfo.at.

Vendimi u shpall të hënën, më 12 tetor, në Gjykatën Rajonale të Vjenës, ku u shqyrtua rasti i disa personave të dyshuar për lidhje me një rrjet që dyshohet se organizonte shitjen e sasive të mëdha të kokainës.

Sipas aktakuzës, një shtetas serb që ndodhej në burgun e Hirtenbergut, në Austrinë e Poshtme, dyshohet se vazhdonte të koordinonte aktivitetet e rrjetit nga qelia. Për këtë qëllim, ai dyshohet se përdorte një telefon celular të ndaluar dhe pseudonimin “Ralph Lauren”, përmes të cilit u jepte udhëzime bashkëpunëtorëve jashtë burgut.

Komunikimi, sipas hetimeve, zhvillohej përmes aplikacionit Signal, ku koordinoheshin dorëzimet e drogës dhe pagesat. Një nga rastet e zbuluara nga policia lidhej me shitjen e një kilogrami kokainë te një polic i infiltruar, për shumën prej 18.500 eurosh. Personi i dyshuar u arrestua pas dorëzimit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan edhe 1,15 kilogramë kokainë.

Çfarë roli kishte shqiptari?

32-vjeçari shqiptar u identifikua gjatë një kontrolli policor në një banesë të përdorur nga personat nën hetim. Sipas dosjes së rastit, atij iu gjet një dokument identifikimi i falsifikuar, si dhe mesazhe që përmbanin fotografi të drogës. Këto mesazhe ishin dërguar dy ditë para marrëveshjes së organizuar nga hetuesit.

Gjatë procesit gjyqësor, shqiptari mohoi përfshirjen në trafikimin e drogës, duke pretenduar se mesazhet përbënin vetëm mburrje dhe nuk dëshmonin pjesëmarrjen e tij në aktivitetin kriminal.

Në përfundim, gjykata e liroi nga akuza për trafik droge, ndërsa e dënoi me katër muaj burg për veprat penale që lidhen me dokumentet e falsifikuara.

Në të njëjtin proces, një tjetër i akuzuar u dënua me dy vjet burg për trafik droge.

Ndërkohë, çështja ndaj të burgosurit serb, i dyshuar si organizatori i rrjetit, do të shqyrtohet në një seancë tjetër. Sipas të dhënave të rastit, pasi kishte marrë vesh për arrestimin e bashkëpunëtorëve, ai kishte tentuar ta shkatërronte telefonin dhe ta hidhte në tualetin e qelisë, duke pësuar lëndime në dorë.

Ai i ka mohuar akuzat ndaj tij. Gjykata ka shtyrë shqyrtimin e çështjes për 23 nëntor, me qëllim të administrimit të provave të tjera./Albinfo.at