Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë fituar medaljen e artë në garën ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”, të mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke e vlerësuar këtë rezultat si dëshmi të profesionalizmit dhe përgatitjes së ushtarakëve kosovarë, transmeton albinfo.ch.
Në garën prestigjioze morën pjesë gjithsej 120 ekipe, ndërsa medalja e artë për FSK-në përbën një tjetër rezultat në kuadër të angazhimit të saj në aktivitete dhe sfida ushtarake ndërkombëtare.
Sipas Maqedoncit, kjo arritje u shënua edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, ku pjesëtarët e FSK-së u pritën nga ambasadori Ilir Kapiti. Në një ceremoni të veçantë ushtarake, ata ngritën flamurin e Republikës së Kosovës mbi ndërtesën e ambasadës.
Ministri theksoi se suksesi pasqyron përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kësaj force.
Gara “Cambrian Patrol” është një aktivitet ushtarak ndërkombëtar që vë në provë aftësitë, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin e ekipeve pjesëmarrëse në kushte sfiduese./Albinfo.ch