Nuk parashikohet mungesë karburanti për linjat ajrore evropiane. Megjithatë, rritja e çmimit të vajgurit (kerozinës) vazhdon të rrisë kostot e tyre dhe kërcënon profitin e një pjese të sektorit, veçanërisht të linjave ajrore me kosto të ulët.
Shqetësimet për një mungesë të mundshme të vajgurit u shfaqën në shtator për shkak të shtimit të krizave gjeopolitike.
Ndërsa eksportet e naftës dhe nënprodukteve të saj nga Lindja e Mesme janë rimëkëmbur në nivele të larta, tensionet në rajon vazhdojnë të rëndojnë mbi tregjet.
Sulmet ndaj objekteve energjetike dhe rafinerive, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Rusi, mbajnë gjallë pasigurinë, ndërsa rezervat relativisht të ulëta kontribuojnë në mbajtjen e çmimeve të larta të vajgurit.
Dobësimi i modelit me kosto të ulët
Linjat ajrore me kosto të ulët janë veçanërisht të cenueshme ndaj kësaj rritjeje të kostove të vajgurit. Modeli i tyre bazohet te biletat me çmime shumë të favorshme.
Është e vështirë të fluturosh drejt Londrës apo Ibizës për 50 franga kur çmimi i vajgurit kalon nga 100 dollarë për fuçi një vit më parë në 200 dollarë sot, raporton RTS.
Për më tepër, shenjat e para të tensioneve po shfaqen tashmë në këtë sektor. Në Shtetet e Bashkuara, Spirit Airlines ka kërkuar mbrojtje nga falimentimi, ndërsa Air Baltic e ka vendosur veten nën mbrojtjen e ligjit amerikan për falimentimin. Kompania spanjolle Volotea do të heqë dorë nga një e treta e flotës së saj dhe Ryanair ka njoftuar rritje çmimesh, transmeton albinfo.ch.
Këto vështirësi nxisin pikëpyetje mbi të ardhmen e modelit me kosto të ulët. “Blerja e karburantit sot me një çmim më të lartë se ai i disa javëve apo muajve më parë ndikon drejtpërdrejt në marzhin e fitimit dhe në modelin e tyre të biznesit,” shpjegon Matthieu Lemasson, partner në PricewaterhouseCoopers (PwC) dhe drejtues i sektorit të aeronautikës.
EasyJet kërkon të japë garanci
Në Gjenevë, easyJet zotëron gati 50% të tregut. Pavarësisht rënies së fitimeve në muajt e fundit, kompania deklaron se disponon burimet e duhura për t’u përballur me rritjen e menjëhershme të çmimit të vajgurit.
“EasyJet ruan një pozicion të fortë, falë një politike efektive mbrojtëse (hedging) që na lejon të menaxhojmë paqëndrueshmërinë aktuale të çmimeve të karburantit,” thonë drejtuesit e saj.
Kompania po ecën më mirë se shumë nga konkurrentët e saj. Ajo vazhdon të mbështetet te formula e saj tradicionale: bileta me çmime të ulëta të shoqëruara me shërbime të shumta me pagesë shtesë. Një strategji kjo që, megjithatë, po fillon të irritojë disa pasagjerë.
Sfida tani është kalimi i kësaj periudhe turbulencash, me shpresën për një rënie të shpejtë të kostove të vajgurit.
“Ka gjasa që ky model të marrë fund në formën e tij aktuale, me një tkurrje dhe ndoshta një ri-përqendrim të tregut gjatë 18 deri në 24 muajve të ardhshëm,” thotë Matthieu Lemasson.