Pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës në krye të shtetit, Osmani ka shprehur kënaqësinë që presidentja e re është grua, duke thënë se ajo mund të llogarisë në mbështetjen e saj të vazhdueshme, përcjell albinfo.ch.
“Kam shpresuar që një grua do të më pasonte në këtë detyrë dhe jam e lumtur që kjo tashmë ka ndodhur. Justina Shiroka-Pula mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen time”, ka deklaruar Osmani.
E pyetur për mospjesëmarrjen e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në votimin për Shiroka-Pulën, Osmani ka thënë se qëndrimi i partisë ishte që të mbështetej vetëm kandidati i saj, Bekim Sejdiu.
Sipas saj, zgjedhja e Shiroka-Pulës nuk ishte rezultat i ndonjë marrëveshjeje me LDK-në.
“Kemi pasur pozicion politik të partisë sonë ta votojmë vetëm kandidatin tonë. Kemi respektuar institucionin, si institucionalistë që jemi. Dëshirojmë vetëm suksese për Republikën e Kosovës”, tha Osmani nga holli i Kuvendit.
Osmani shtoi se tashmë është e rëndësishme që vendi të ketë stabilitet institucional, ndërsa LDK-ja, sipas saj, do ta vazhdojë aktivitetin e saj në opozitë.
“Tash e tutje është mirë që do të kemi stabilitet institucional, rolin tonë do ta luajmë si opozitë, ashtu siç kemi paralajmëruar”, përfundoi Osmani./Albinfo.ch