Kosova
Kush është Justina Shiroka-Pula, presidentja e re e Kosovës?
Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare, akademike dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave. Më 6 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi presidente të Republikës me 81 vota.
Justina Shiroka-Pula është një nga figurat e njohura të jetës akademike dhe institucionale në Kosovë. Para zgjedhjes në postin e presidentes, ajo ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa për vite ka qenë pjesë e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, përcjell albinfo.ch.
E lindur në vitin 1953 në Prishtinë, Shiroka-Pula shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në kryeqytet. Në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit, ndërsa doktoratën në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës e ka përfunduar me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës në vitin 1977, ndërsa një vit më vonë iu bashkua Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku ndërtoi një karrierë të gjatë akademike. Ajo është profesoreshë ordinarе që nga viti 2004 dhe është marrë veçanërisht me kërkimet operacionale, metodat matematikore dhe statistikore në planifikim, menaxhment, zhvillimin e bizneseve dhe proceset e vendimmarrjes.
Shiroka-Pula ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë karrierës së saj ka marrë pjesë edhe në trajnime dhe programe të ndryshme profesionale ndërkombëtare.
Aktiviteti i saj akademik nuk është kufizuar vetëm në Kosovë. Ajo ka ligjëruar edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, si dhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Krahas angazhimit akademik, Shiroka-Pula është përfshirë edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë. Në vitin 2001 ishte ndër themelueset e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare.
Përvoja në politikë dhe institucione
Shiroka-Pula ka pasur edhe një karrierë në institucionet publike të Kosovës. Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh fillimisht anëtare korrespondente në vitin 2016, ndërsa në vitin 2020 u zgjodh anëtare e rregullt e Akademisë. Para zgjedhjes presidente, ajo ka shërbyer si kryetare e ASHAK-ut.
Më 6 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Justina Shiroka-Pulën presidente të Republikës së Kosovës me 81 vota. Pas zgjedhjes, ajo dha betimin para deputetëve dhe mori zyrtarisht detyrën e presidentes.
Në fjalimin e saj të parë si presidente, Shiroka-Pula deklaroi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve të Kosovës./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Dy kushërinj shqiptarë dënohen në Lucern për trafik droge dhe pastrim parash Njëri u dënua me tre vjet burgim, nga të cilat 18 muaj do t’i vuajë, ndërsa... -
Tre shqiptarë në mesin e gjashtë të arrestuarve në Austri, kapen 11 kilogramë kokainë -
“15 vjet albinfo.ch”, motoja e numrit më të ri të magazinës albinfo.ch -
Zvicër
Pronari shqiptar përballet me grabitësin në piceri në Zvicër: Ia mora thikën që të mos e vriste vajzën -
Vjenë
Rinesa Dinaj me karrierën shkencore në Vjenë, specializohet në mikrobiologji molekulare
Jeta në Austri
-
Tre shqiptarë në mesin e gjashtë të arrestuarve në Austri, kapen 11 kilogramë kokainë Policia austriake ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për trafikim të drogës gjatë një operacioni pranë... -
Vjenë
Rinesa Dinaj me karrierën shkencore në Vjenë, specializohet në mikrobiologji molekulare -
Si të kontrolloni rrezikun e përmbytjeve para se të merrni me qira ose të blini një shtëpi në Austri? -
Austria planifikon pushim të paguar për gratë pas abortit spontan -
Sonte ndeshja Kosovë – Austri, “Dardanët” synojnë tri pikët në “Fadil Vokrri”













