Kosova

Kurti me propozim të ri: Justina Shiroka-Pula për Presidente, pas votimit të Ligjit për Specialen

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar një propozim të ri nga Kuvendi i Kosovës për zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit.

Kurti tha se, nëse deputetët e PDK-së zotohen se do të marrin pjesë në votimin për Presidentin, atëherë deputetët e Vetëvendosjes do ta mbështesin paraprakisht Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në propozimin e tij të ri, Kurti tha se pas votimit të këtij projektligji do të procedohej me zgjedhjen e Presidentit, ndërsa si kandidate për këtë post përmendi profesoreshën Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Hamza le të dalë sonte dhe 22 deputetët e PDK-së të zotohen se marrin pjesë në zgjedhjen e Presidentit. Ne po ua votojmë projektligjin për Specialen paraprakisht dhe mandej votimi për Presidente, profesoresha Justina Shiroka-Pula”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, kandidatura e Shiroka-Pulës do të kishte mbështetjen e 53 deputetëve të Vetëvendosjes, ndërsa së bashku me deputetët e komuniteteve, ai tha se do të siguroheshin gjithsej 62 vota/albinfo.ch.