Kosova

Tahiri i Alenacës kërkon kompromis në Kuvendin e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, pas largimit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës nga salla pasi nuk u hodh në votim mocioni për votimin e Ligjit për Specialen sot në orën 17:30, ka kërkuar kompromis në Kuvend.

Ai ka deklaruar se po e përcjell me shqetësim situatën si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë tij, duke theksuar se ekziston vullneti politik për miratimin e ligjit në dy lexime.

“Ajo që ne dëgjuam nga të gjithë akterët, edhe nga LVV-ja edhe nga PDK-ja, nga Aleanca e nga vetë kryeministri është që ka një zotim për të miratuar këtë ligj në dy lexime”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Tutje, Tahiri kërkoi nga deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe të gjejnë kompromis për ta kaluar ligjin, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.

“Pak ta thërrisni mendjen e përgjegjësinë, kompromisin në mënyrë që ta kalojmë”, u shpreh ai ndërsa shtoi se procedura për miratimin e ligjit mund të përfundojë shpejt, ndërsa më pas Kuvendi do të ketë kohë për të diskutuar edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Ta tejkalojmë këtë në mënyrë që ta kryejmë, është proces shumë i shkurtër, të vazhdojmë me këto pika dhe më pas kemi edhe 24 orë për të diskutuar çështjen e presidentit”, tha Tahiri.