Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot do të nisin komunikimet me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, përcjell albinfo.ch.
Kurti ka thënë se kontaktet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit të tij me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, ka deklaruar Kurti për KosovaPress, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga dita e shpërndarjes./Albinfo.ch