Futboll

Vesel Demaku përballet me Austrinë, vendin ku u lind: Për mua dhe familjen time është shumë e madhe

Mesfushori i Kosovës ka treguar pse zgjodhi të përfaqësojë Kosovën dhe për rëndësinë familjare që ka ky vendim.

Vesel Demaku do të përballet me Austrinë, vendin ku ka lindur dhe është rritur, në ndeshjen e Kosovës të dielën në Vjenë, transmeton albinfo.ch.

Mesfushori i Kosovës ka rrëfyer për gazetën austriake Der Standard arsyet që e shtynë të zgjedhë përfaqësimin e Kosovës para Austrisë.

Demaku ka treguar se ky vendim ka edhe një rëndësi të veçantë familjare, pasi mban emrin e gjyshit të tij, Veselit, i cili humbi jetën gjatë luftës në Kosovë.

“Kur luaj për Kosovën, për mua dhe familjen time është një gjë shumë e madhe”, ka deklaruar Demaku.

Ai ka thënë se është mirënjohës ndaj Austrisë, ku familja e tij gjeti strehim dhe ku ai u rrit. Megjithatë, përfaqësimin e Kosovës e ka përshkruar si një vendim të marrë me bindje të plotë.

Demaku ka theksuar gjithashtu se një pjesëmarrje e Kosovës në një Kampionat Botëror ose Evropian do të ishte diçka e jashtëzakonshme për vendin.

Të dielën, ai do të jetë në fushë me Kosovën pikërisht përballë Austrisë, në Vjenë./Albinfo.ch