Lajme

Hapet shkolla shqipe në Reutlingen, nis mësimi plotësues në gjuhën amtare

Fëmijët shqiptarë në Reutlingen dhe rrethinë do të mësojnë gjuhën shqipe, historinë, kulturën dhe traditat shqiptare.

Në Reutlingen të Gjermanisë ka filluar mësimi plotësues në gjuhën shqipe, duke krijuar një mundësi të re për fëmijët shqiptarë të kësaj zone që të ruajnë dhe zhvillojnë njohuritë në gjuhën amtare, transmeton albinfo.ch.

Në hapjen e mësimit morën pjesë nxënës, prindër dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar. Me këtë rast, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shtutgart, Hamdi Bërbatovci, përshëndeti fillimin e kësaj nisme dhe vlerësoi angazhimin e prindërve dhe komunitetit shqiptar.

Në mbështetje të procesit mësimor, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka shpërndarë abetare dhe materiale të tjera mësimore në gjuhën shqipe.

Mësimi do të zhvillohet në shkollën HAP Grieshaber Gymnasium im BZN, në adresën Wittumstraße 37, 72768 Reutlingen, nën udhëheqjen e mësueses Albina Bilalli-Zeqiri.

Në realizimin e kësaj nisme është përfshirë edhe Qendra Kulturore Shqiptare në Reutlingen, e cila ka kontribuar në organizimin dhe mbështetjen e procesit.

Organizatorët u kanë bërë thirrje familjeve shqiptare në Reutlingen dhe rrethinë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, me synimin që përmes edukimit në gjuhën amtare të ruhet lidhja me gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare./Albinfo.ch