Një ish-aeroplan luftarak zviceran i tipit Hawker Hunter është rrëzuar të martën në mbrëmje në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë, transmeton albinfo.ch.
Piloti arriti të aktivizojë në kohë sediljen e nxjerrjes dhe doli i sigurt nga avioni. Ai më pas u shpëtua nga Marina e Shteteve të Bashkuara, pasi kishte përfunduar në det.
Avioni kishte shërbyer më parë në Forcat Ajrore Zvicerane me regjistrimin J-4104 dhe njihej me emrin “Miss Demeanour”.
Hawker Hunter është një avion luftarak britanik i prodhuar gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Disa prej këtyre avionëve vazhdojnë të përdoren nga operatorë civilë për shfaqje ajrore dhe trajnime.
Autoritetet amerikane pritet të hetojnë shkaqet e rrëzimit. /Albinfo.ch