Lajme

Shpallja e një banese në Zvicër: “Vetëm për shtetas zviceranë” shkakton reagime

Një shpallje për një banesë në kantonin Solothurn të Zvicrës ka shkaktuar reagime pasi në të thuhej se prona jepej me qira vetëm për shtetas zviceranë.

Bëhet fjalë për një banesë të rinovuar me 4.5 dhoma, me qira mujore prej 1,650 frangash zvicerane, përfshirë shpenzimet shtesë. Në përshkrimin e shpalljes në platformën ImmoScout24 thuhej se prona do t’u jepej vetëm “shtetasve zviceranë me ekstrakt të pastër nga regjistri i borxheve”.

Një lexuese e Blick e cilësoi këtë kriter si diskriminues. Rasti ka ngritur edhe pyetje lidhur me kufijtë ligjorë që kanë pronarët privatë në përzgjedhjen e qiramarrësve.

Sipas ImmoScout24, në të drejtën private zvicerane ekziston në parim liria kontraktuale, që i lejon një pronari privat të zgjedhë mes kandidatëve të përshtatshëm. Megjithatë, platforma theksoi se përmbajtjet diskriminuese ose të paligjshme nuk lejohen në shpallje. Për këtë arsye, pronari u kontaktua dhe iu kërkua të hiqte formulimin që kufizonte aplikantët sipas shtetësisë.

Juristi Fabian Gloor nga Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve tha se situata juridike është më e ndërlikuar. Sipas tij, duhet bërë dallimi mes shtetësisë, statusit të qëndrimit dhe prejardhjes etnike. Në marrëdhëniet private të qirasë, një kriter i bazuar vetëm në shtetësi nuk është domosdoshmërisht i ndaluar nga ligji zviceran.

Situata ndryshon kur bëhet fjalë për administrata shtetërore të pasurive të paluajtshme. Ato janë të detyruara të respektojnë parimin kushtetues të mosdiskriminimit dhe nuk mund t’i kufizojnë banesat vetëm për persona të një kombësie apo prejardhjeje të caktuar.

ImmoScout24 tha gjithashtu se përdoruesit mund të raportojnë shpalljet që dyshohen se shkelin rregullat. Pas një shqyrtimi individual, shpalljet që konstatohen si shkelëse mund të ndryshohen ose hiqen.

Ndërkohë, pronari i banesës në Solothurn nuk pranoi të komentonte për kriterin “vetëm për shtetas zviceranë” dhe nuk iu përgjigj as kërkesave me shkrim për sqarim/albinfo.ch/