Lajme

Trump: Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës duhet të marrë fund

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë thirrje për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se konflikti i vazhdueshëm ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në industrinë ruse të përpunimit të naftës.

Në një reagim në platformën Truth Social, Trump tha se Rusia ka humbur kontrollin mbi një pjesë të industrisë së saj të rafinimit të naftës, pasi një numër rafinerish janë goditur dhe janë nxjerrë, të paktën përkohësisht, jashtë funksionit, përcjell albinfo.ch.

“Kjo luftë e pakuptimtë dhe e pafundme me Ukrainën duhet të marrë fund”, ka deklaruar Trump.

Deklarata e presidentit amerikan vjen në një kohë kur sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse kanë ndikuar në prodhimin dhe eksportet e karburanteve. Rusia ka vendosur kufizime në eksportet e naftës për shkak të mungesave dhe rritjes së çmimeve në tregun e brendshëm.

Ndërkohë, Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë rënë dakord të takohen në New York, ku pritet të diskutojnë për luftën dhe përpjekjet për arritjen e paqes. Zelensky ka deklaruar se ekziston një “momentum diplomatik” dhe se rruga drejt paqes mbetet prioriteti kryesor i Ukrainës.

Takimi pritet të zhvillohet gjatë qëndrimit të dy liderëve në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.