Kosova

PDK-ja dorëzon në Kuvend nismën për plotësim-ndryshim të Ligjit për Specialen

Sipas Hamzës, ky reagim i qytetarëve nuk mund të injorohet e as Kuvendi nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së ka proceduar kërkesën në Kuvend për plotësim-ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ai ka thënë se përmes projektligjit nuk synohet mbyllja e Dhomave të Specializuara e as nuk kërkohet që akuzat për trafikim organesh të mos hetohen. Ka shtuar se kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri, por për të përcaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë.

“Kosova mori një vendim të vështirë dhe Kosova veproi me bindjen që nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt. Nëse Kosova krijoi këtë Gjykatë me mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë një kufi? Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, ka thënë ai.

Tutje, sipas propozimit të PDK-së, procedurat e gjykimit duhet të vazhdojnë deri në përfundimin e fazës së Apelit, por sipas tij, nëse një rast kthehet në rigjykim, ai nuk duhet të nisë nga e para në Hagë, por rasti të kalojë në procedim në Kosovë. “Sipas zgjidhjes së propozuar, procedurat aktuale vazhdojnë deri në përfundimin e fazës së Apelit, por nëse një rast rikthehet në rigjykim, ai nuk do të nisë nga e para në Hagë. Në atë moment zbatohet juridiksioni i ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të kalojë për procedim në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova po kalon ditë të rënda dhe se qytetarët në vazhdimësi po protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Sipas Hamzës, ky reagim i qytetarëve nuk mund të injorohet e as Kuvendi nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kushtetutës të miratuara nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai.

Hamza ka deklaruar se gjithçka ka nisur nga raporti i Dick Martyt dhe rezoluta e Këshillit të Evropës.