Lajme

Italia me masa të reja në arsim: Meloni paralajmëron kufizim për nxënësit e huaj

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë të ditur se qeveria italiane pritet të miratojë së shpejti masa të reja në sistemin arsimor, përfshirë vendosjen e një kufiri për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë.

Masa ishte paralajmëruar më herët edhe nga ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara. Sipas Melonit, prindërit e nxënësve të huaj që kanë rezultate të dobëta në mësime do të duhet të ndjekin kurse për të mësuar gjuhën italiane.

Ajo gjithashtu deklaroi se në shkollat italiane do të ndalohet përdorimi i burkave dhe hixhabeve.

Duke folur në festivalin rinor të partisë së saj, “Vëllezërit e Italisë”, Meloni tha se italianët nuk duhet të ndihen si pakicë në shkollat e vendit dhe se një situatë e tillë, sipas saj, nuk mund të pranohet.