E-Diaspora

Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku për të dytin vit akademik zhvillohet mësimi në dy gjuhë, anglisht dhe shqip.

Kurti bëri të ditur se programi akademik dygjuhësh anglisht-shqip ka nisur në këtë shkollë në shtator të vitit të kaluar. Ai e cilësoi atë një arritje të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një shembull që, sipas tij, duhet të ndiqet e zgjerohet edhe në vende të tjera.

“Dy vende aleate, dy popuj miq, e për të dytin vit akademik mësim në dy gjuhë, anglisht e shqip, në një shkollë në New York”, ka shkruar Kurti, përcjell albinfo.ch.

Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në mërgatë, duke përmendur edhe arbëreshët e Italisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën e tyre për më shumë se pesë shekuj, si dhe rolin e rilindësve shqiptarë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Gjatë vizitës, Kurti u ka shpërndarë nxënësve abetare, fletore pune dhe libra leximi. Ai tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë iniciativa për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë.

Kurti falënderoi Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn për nismën, si dhe drejtoreshën e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa. “Gjuha shqipe, si themel i identitetit tonë, të ruhet e kultivohet brez pas brezi kudo në mërgatë”, ka shkruar ai.