Kosova

Nata e katërt e protestave në Prishtinë

Protesta ka nisur me betimin e UÇK-së, të përsëritur në kor nga pjesëmarrësit

Mijëra qytetarë kanë protestuar për të katërtën natë radhazi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër vendimit të Gjykatës Speciale, me të cilin janë dënuar katër udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Protesta ka nisur me betimin e UÇK-së, të përsëritur në kor nga pjesëmarrësit.

Një prej organizatorëve të protestave, Çlirim Haziri, ka thënë se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës për drejtësi ndaj çlirimtarëve dhe paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen, transmeton albinfo.ch.

Ai ka thënë se protestuesit nuk i ka bashkuar partia, por UÇK-ja.

E të shtunën, qindra mërgimtarë shqiptarë janë mbledhur edhe në sheshe të qendrave evropiane në tubime paqësore. Protesta u organizuan në Koln dhe Munih të Gjermanisë, Cyrih të Zvicrës, Vjenë të Austrisë e edhe Kanada.