Lajme
BE-ja me rregulla të reja për punëtorët: dokumentet sociale kalojnë në format dixhital
Komisioni Evropian propozon Pasaportën Evropiane të Sigurimeve Shoqërore dhe përshpejtimin e njohjes së kualifikimeve profesionale në vendet e BE-së
Komisioni Evropian ka miratuar një paketë të re masash që synon të lehtësojë lëvizjen ndërkufitare të punëtorëve dhe të forcojë të drejtat e tyre sociale në Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.
Paketa përfshin pesë propozime legjislative dhe një Komunikatë për lëvizshmërinë e drejtë të fuqisë punëtore. Ndër masat kryesore është krijimi i Pasaportës Evropiane të Sigurimeve Shoqërore (ESSPASS), përmes së cilës qytetarët do të mund të marrin dhe ruajnë në mënyrë elektronike dokumente të sigurimeve shoqërore.
Në këtë sistem do të përfshihen dokumente si Karta Evropiane e Sigurimeve Shëndetësore dhe dokumenti portativ A1, i cili përdoret nga punëtorët e dërguar përkohësisht për të punuar në një shtet tjetër të BE-së. Dokumentet do të mund të ruhen në portofolin e identitetit dixhital të BE-së.
Sipas Komisionit Evropian, dixhitalizimi mund të sjellë kursime të konsiderueshme. Gjatë 12 viteve, bizneset mund të kursejnë deri në 64 milionë euro, ofruesit e kujdesit shëndetësor deri në 69 milionë euro dhe inspektorët e punës deri në 72 milionë euro. Nënshkrimet dixhitale mund të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e mashtrimeve me vlerë deri në 277 milionë euro.
Paketa parashikon ndryshime edhe në njohjen e kualifikimeve profesionale. Kualifikimet do të mund të lëshohen në një format dixhital të standardizuar, ndërsa një mjet i përbashkët evropian do të mundësojë krahasimin e tyre.
Për profesione të rregulluara, si mjekë, infermierë, inxhinierë dhe mësues, Komisioni propozon që procesi i njohjes ndërkufitare të bëhet dixhital dhe të shkurtohet nga rreth tre muaj në pesë javë.
Ndërsa për kualifikimet e fituara jashtë BE-së, procedurat e njohjes, të cilat aktualisht zgjasin mesatarisht rreth 14 muaj, synohet të shkurtohen në rreth katër muaj. Sipas Komisionit, kjo do të mund të ulte edhe kostot administrative për punëdhënësit.
Një tjetër masë është kuadri i parë i përbashkët evropian i trajnimit për fizioterapistët, me synimin për të lehtësuar njohjen automatike të kualifikimeve të tyre.
Në përgjithësi, Komisioni Evropian vlerëson se paketa mund të gjenerojë përfitime prej rreth 6 miliardë eurosh deri në vitin 2040.
Në vitin 2024, rreth 14 milionë qytetarë të BE-së jetonin në një shtet tjetër anëtar, ndërsa më shumë se 10 milionë prej tyre ishin në moshë pune. Kjo përfaqësonte rreth 3.9 për qind të popullsisë aktive të BE-së. Ndërkohë, 18 për qind e të anketuarve në një Eurobarometër të fundit deklaruan se do të dëshironin të punonin jashtë vendit.
Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Komisionit Evropian përgjegjëse për të drejtat sociale dhe vendet e punës cilësore, Roxana Minzatou, tha se paketa synon të ndryshojë mënyrën se si funksionon tregu i vetëm.
Sipas saj, qytetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në vende të ndryshme të Evropës me të drejtat e tyre sociale të mbrojtura dhe me kualifikimet e njohura më shpejt, ndërsa bizneset duhet të kenë më pak burokraci gjatë rekrutimit të punëtorëve.
Propozimet duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së përpara se të hyjnë në fuqi.
Pas hyrjes në fuqi të rregullave përkatëse, dokumenti portativ A1 pritet të jetë dokumenti i parë që do të dixhitalizohet. Brenda tre vjetësh pritet të pasojnë Karta Evropiane e Sigurimeve Shëndetësore dhe dokumentet e tjera të sigurimeve shoqërore./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë Talenti shqiptar është përfshirë në listën e parë të selektorit Jürgen Klopp për ndeshjet e ardhshme... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje” -
Dënohet me 15 vjet burg studenti që sulmoi me thikë fëmijët në Cyrih
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions












