Kosova

Reagon LDK, thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë”, thuhet më tej në komunikatë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësim të thellë për vendimin dhe dënimet e shqiptuara.

Në një komunikatë për media, LDK-ja ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i rezistencës politike e paqësore, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, transmeton albinfo.ch.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja ka theksuar se regjimi i Serbisë ka kryer krime ndaj popullsisë civile në Kosovë dhe se këto ngjarje, sipas saj, janë pjesë e historisë së luftës për liri.

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë”, thuhet më tej në komunikatë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe ka shprehur mbështetje për “shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë”.

Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe maturi, ndërsa përfaqësuesve politikë u ka kërkuar përgjegjësi në deklarata dhe veprime, si dhe shmangie të nxitjes së tensioneve.

“UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, përfundon komunikata e LDK-së.