Kosova

Në Hagë nisin deklaratat përfundimtare në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Gjykatën Speciale, më 10, 11 dhe 14 shtator do të paraqiten argumentet përmbyllëse në çështjen ku Hashim Thaçi dhe katër të tjerë akuzohen për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nisur sot deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30.

Përfundimi i deklaratave përmbyllëse shënon fazën e fundit të paraqitjes së argumenteve nga palët, para se trupi gjykues të marrë vendimin për këtë çështje.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, akuzat lidhen me procese zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në aktakuzë pretendohet se, gjatë periudhës nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Thaçi zbuloi informacione konfidenciale që i ishin bërë të njohura gjatë gjykimit të tij.

Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi, së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin, bashkërenduan veprime për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët./Albinfo.ch