Lajme

32-vjeçari nga Kosova arrestohet në Gjermani, paguan 639 euro dhe shmang burgun

Policia Federale gjermane e ndaloi në pikën kufitare Furth im Wald, ku rezultoi se ndaj tij kishte një urdhër arresti për një dënim për mashtrim

Një 32-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia Federale gjermane në pikën kufitare Furth im Wald, pasi ndaj tij ishte në fuqi një urdhër arresti, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes 6 dhe 7 shtatorit 2026, rreth orës 00:30, kur zyrtarët policorë e ndaluan 32-vjeçarin gjatë kontrollit të një automjeti.

Gjatë verifikimit të të dhënave personale, policia konstatoi se kosovari kërkohej për shkak të një dënimi për mashtrim, të shqiptuar nga Gjykata e Landshutit.

Ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti për shkak të një gjobe të papaguar. Pas njoftimit për urdhrin, 32-vjeçari arriti të paguante shumën prej 639.50 eurosh.

Me pagesën e gjobës, ai shmangu vuajtjen e dënimit me burg.

Pas përfundimit të procedurave policore, 32-vjeçari u lirua dhe iu lejua të vazhdonte udhëtimin./Albinfo.ch