Lajme

AfD kërkon deportimin e mbi një milion azilkërkuesve të refuzuar në Gjermani

Alice Weidel kërkoi largimin nga Gjermania të personave të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil, duke bërë thirrje për një politikë më të ashpër migracioni

Partia e djathtë gjermane, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka kërkuar deportimin e më shumë se një milion personave të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Thirrja është bërë nga bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, gjatë një debati në Bundestagun gjerman, vetëm pak ditë pas rezultatit të lartë të partisë në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt.

Weidel e cilësoi rezultatin zgjedhor si një mesazh të qartë nga votuesit për ndryshimin e politikave të migracionit. Ajo akuzoi qeverinë gjermane se po lejon hyrjen e një numri të madh migrantësh përmes sistemit të azilit.

Sipas saj, personat të cilëve u është refuzuar azili duhet të largohen nga Gjermania. Weidel e lidhi gjithashtu migracionin me rritjen e kriminalitetit, duke përmendur sulmet me thikë, veprat e dhunshme dhe seksuale, si dhe problemet në hapësirat publike.

AfD, e cila ka shënuar një rezultat të rëndësishëm në zgjedhjet rajonale, po e shfrytëzon këtë sukses për të shtuar presionin ndaj qeverisë gjermane dhe për të kërkuar masa më të ashpra në politikën e migracionit./Albinfo.ch