Kosova

Vala e të nxehtit lidhet me rritjen e rasteve të dhunës në familje në Zvicër

Vala e të nxehtit lidhet me rritjen e rasteve të dhunës në familje në Zvicër

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën gjatë kësaj vere duket se është shoqëruar edhe me një rritje të rasteve të dhunës në familje, transmeton albinfo.ch.

Në Bazel, ku temperaturat këtë verë arritën deri në 39 gradë Celsius, janë regjistruar gjithsej 1,117 raportime për dhunë në familje. Sipas të dhënave të publikuara, kjo shifër është 36 për qind më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme.

Beat John, drejtor i Shërbimit për Ndihmë Viktimave për dy kantonet e Bazelit, thotë se rritja e rasteve është e vështirë të shpjegohet me një faktor të vetëm.

“Ne nuk mund ta shpjegojmë këtë rritje ndryshe, përveç faktit se temperaturat ekstreme duhet të kenë luajtur një rol”, ka deklaruar John.

Sipas studimeve të mëparshme, ekziston një lidhje mes temperaturave të larta dhe rasteve të dhunës. Nxehtësia ekstreme mund të veprojë si një faktor stresues, duke rritur tensionet dhe nervozizmin te njerëzit.

John thekson se ndikimi i temperaturave të larta është vërejtur edhe në jetën e përditshme.

“E kemi parë nga afër se sa shumë na ka lodhur nxehtësia, duke na bërë më të irrituar”, ka shtuar ai.

Të dhënat nga Bazeli rikthejnë vëmendjen te ndikimi që temperaturat ekstreme mund të kenë jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në mirëqenien psikologjike dhe marrëdhëniet mes njerëzve.