Maqedonia

Aeroporti i Shkupit shpallet më i miri në Evropë për përvojën e udhëtarëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është nderuar me çmimin prestigjioz ASQ për vitin 2025, bazuar në vlerësimet e udhëtarëve për cilësinë e shërbimeve dhe përvojën në aeroport

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është vlerësuar me çmimin prestigjioz ASQ (Airport Service Quality) 2025, në kategorinë “Përvoja më e këndshme aeroportuale në Evropë”, transmeton albinfo.ch.

Çmimi, i ndarë nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI World), iu dorëzua përfaqësuesve të aeroportit më 2 shtator në Stamboll, gjatë Samitit Global të ACI-së për Përvojën e Udhëtarëve.

Ky është çmimi i 11-të ASQ për Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, i cili menaxhohet nga TAV Maqedoni.

Vlerësimi bazohet drejtpërdrejt në përshtypjet e udhëtarëve dhe përfshin aspekte të ndryshme të shërbimeve aeroportuale, si procesi i check-in-it, kontrollet e sigurisë, orientimi dhe sinjalistika, pastërtia dhe komoditeti i terminalit, si dhe përvoja e përgjithshme e udhëtarëve.

“Është një arritje e jashtëzakonshme dhe një krenari e madhe për TAV Maqedoninë. Ky vlerësim ka një rëndësi të veçantë sepse vjen drejtpërdrejt nga udhëtarët tanë dhe pasqyron besimin e tyre në shërbimet që ofrojmë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.

Në këtë vlerësim, Aeroporti i Shkupit u përfshi së bashku me tre aeroporte të tjera të menaxhuara nga TAV Airports: Aeroportin Esenboğa të Ankarasë, Aeroportin Adnan Menderes të Izmirit dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Tbilisit.

Sipas TAV Airports, çmimet ASQ konsiderohen ndër vlerësimet më të rëndësishme në industrinë ndërkombëtare të aviacionit, pasi rezultatet bazohen në përvojën dhe opinionet e vetë udhëtarëve./Albinfo.ch