Kosova

Kosova pranon flamurin e Lojërave Mesdhetare, nis rrugëtimi drejt “Prishtina 2030”

Me respekt e nderim të lartë, Taranto e ngriti lart flamurin e Kosovës e na e dorëzoi “stafetën” për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Me përfundimin e ceremonisë së mbylljes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, flamuri zyrtar i këtij eventi iu dorëzua Kosovës, e cila do të jetë nikoqire e edicionit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Prishtinë në vitin 2030, transmeton albinfo.ch.

Flamurin e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shënuar zyrtarisht nisjen e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në praninë e më shumë se 20 mijë tifozëve në stadium, flamuri i Kosovës u vendos përkrah flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare.

Basketbollisti Adhurim Alijaj ia dorëzoi flamurin përfaqësuesit të Kosovës, ndërsa ceremonia vijoi me ngritjen e tij dhe ekzekutimin e himnit shtetëror të Kosovës.

Të pranishmit patën mundësinë të shihnin edhe videon prezantuese të “Prishtina 2030”, e cila promovoi Kosovën dhe kryeqytetin e saj si vendin pritës të edicionit të ardhshëm të Lojërave Mesdhetare.

Pak para momentit zyrtar të dorëzimit, flamuri i Kosovës u mbajt në ceremoninë përmbyllëse të “Taranto 2026” nga karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana.

Në stadium ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës, të kryesuar nga presidenti Ismet Krasniqi.

Me këtë ceremoni, Kosova tashmë ka marrë zyrtarisht stafetën për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një ngjarje e rëndësishme sportive ndërkombëtare që do ta vendosë Prishtinën dhe Kosovën në qendër të vëmendjes së sportit mesdhetar./Albinfo.ch