Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, pas përfundimit të edicionit të 20-të të këtij aktiviteti sportiv në Taranto të Italisë.
Ceremonia e mbylljes u zhvillua në stadiumin Lacovone, ku programi artistik u shoqërua me tinguj mesdhetarë, performanca muzikore, shfaqje dritash dhe fishekzjarre. Në përfundim të ceremonisë, flamuri i Lojërave Mesdhetare iu dorëzua përfaqësuesve të organizimit të Prishtina 2030.
Në këtë edicion morën pjesë sportistë nga 26 vende. Italia ishte vendi më i suksesshëm në renditjen e medaljeve, duke fituar gjithsej 224 medalje: 74 të arta, 78 të argjendta dhe 72 të bronzta. Ky rezultat përbën një rekord të ri për Italinë në historinë e Lojërave Mesdhetare.
Turqia u rendit e dyta me 111 medalje, ndërsa Greqia përfundoi në vendin e tretë me 71 medalje.
Shqipëria e mbylli garën në vendin e 16-të, me gjashtë medalje: dy të arta, një të argjendtë dhe tri të bronzta.
Ndërkohë, Kosova u rendit në vendin e 15-të me nëntë medalje, përkatësisht dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Pas përfundimit të edicionit në Taranto, vëmendja tashmë zhvendoset te Kosova, e cila do të organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030.