Lajme

Ambasada e Kosovës merr pjesë në “Embassy Cup 2026” në Potsdam

Ekipi i Ambasadës së Kosovës në Gjermani u bë pjesë e turneut sportiv që bashkoi përfaqësues të misioneve diplomatike dhe institucioneve gjermane

Ekipi i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani ka marrë pjesë edhe këtë vit në turneun tradicional të futbollit “Embassy Cup 2026”, i cili u zhvillua në Potsdam, përcjell albinfo.ch.

Ky turne konsiderohet një prej aktiviteteve sportive që bashkon më shumë misione diplomatike të akredituara në Berlin, duke krijuar një hapësirë për takime dhe bashkëpunim përmes sportit.

Në aktivitet morën pjesë ekipe nga misione të ndryshme diplomatike, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë (Auswärtiges Amt), si dhe institucione të Landit të Brandenburgut.

Ambasada e Kosovës e vlerësoi pjesëmarrjen në këtë aktivitet si një mundësi për të promovuar frymën e miqësisë, bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet përfaqësuesve të vendeve të ndryshme.

Përmes një mesazhi të publikuar pas aktivitetit, Ambasada theksoi rolin e sportit në afrimin e njerëzve dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve.

“Sepse sporti nuk njeh kufij, ai afron njerëzit dhe ndërton ura mes shteteve”, thuhet në mesazhin e Ambasadës së Kosovës.

“Embassy Cup” është një aktivitet që përmes futbollit synon të krijojë kontakte dhe marrëdhënie miqësore mes komunitetit diplomatik dhe institucioneve vendore në Gjermani. /Albinfo.ch