Maqedonia

Shkup: Digjet një autobus, nuk ka të lënduar

Një autobus dykatësh i NTP “Shkupi” është përfshirë nga zjarri në Vodno.

“Zjarrfikësit e Shkupit po punojnë për shuarjen e tij dhe pres që së shpejti të shuhet. Për momentin nuk ekziston rrezik që zjarri të përhapet drejt vegjetacionit përreth”, tha Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, transmeton albinfo.ch.

Konifrmohet nga Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup se nuk ka persona të lënduar.

“Shoferi ka reaguar shpejt, me gjakftohtësi dhe përgjegjësi. Ai menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe me reagimin e tij në kohë ka parandaluar pasoja shumë më serioze, dëme më të mëdha materiale dhe përhapjen e zjarrit drejt hapësirës përreth”, thuhet në njoftimin nga NTP teksa bëhet e ditur se shërbimet kompetente tashmë po kryejnë të gjitha kontrollet e nevojshme dhe se do të përcaktohet shkaku i saktë i zjarrit.

Ndryshe, vetëm gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar të paktën tetë incidente me autobusë që janë përfshirë nga zjarri, ndërsa në disa prej tyre automjetet janë dëmtuar rëndë ose janë djegur plotësisht.