Lajme
Zvicra me 9 milionë banorë, afro 5.7 milionë janë të punësuar, tregu i punës vazhdon të rritet
Në Zvicër janë krijuar sërish më shumë vende pune gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Motori kryesor i rritjes mbetet sektori i shërbimeve, ndërsa zhvillim pozitiv është regjistruar edhe në industri dhe ndërtimtari, përcjell albinfo.ch.
Sipas Barometrit të Punësimit, të publikuar të enjten nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), numri i të punësuarve gjatë periudhës prill–qershor 2026 u rrit me 2 për qind në krahasim me një vit më parë, duke arritur në 5.698 milionë persona.
Krahasuar me tremujorin paraprak, punësimi, i përshtatur sipas faktorëve sezonalë, u rrit me 0.5 për qind.
Shërbimet vazhdojnë të jenë motori kryesor
Ashtu si edhe në tremujorët e mëparshëm, sektori i shërbimeve ishte kontribuuesi kryesor në rritjen e punësimit.
Numri i të punësuarve në këtë sektor u rrit me 2.2 për qind brenda një viti, duke arritur në 4.550 milionë persona.
Sipas Tages Anzeiger trendi pozitiv ka vazhduar edhe në industri dhe ndërtimtari. Në këta sektorë numri i të punësuarve u rrit me 1.2 për qind, në gjithsej 1.148 milionë persona.
Ky zhvillim është veçanërisht domethënës pasi në tremujorin e parë të vitit 2026 ishte ndërprerë tendenca shumëvjeçare e rënies së punësimit në këta sektorë. Të dhënat e reja tregojnë se kthesa pozitive po konsolidohet.
Afro 100 mijë vende pune të lira
Është rritur gjithashtu numri i vendeve të lira të punës. Kompanitë zvicerane kanë raportuar gjithsej 98,700 vende vakante, rreth 500 më shumë se tre muaj më parë.
Rritja e vendeve të lira është regjistruar kryesisht në sektorin e dytë të ekonomisë, ku përfshihen industria dhe ndërtimtaria. Në sektorin e shërbimeve, ndërkohë, është shënuar një rënie e lehtë.
Norma e vendeve të lira të punës në nivel kombëtar ishte 1.7 për qind. Në sektorin e dytë ajo arriti në 2.1 për qind, ndërsa në sektorin e shërbimeve ishte 1.6 për qind.
Kompanitë e kanë më të vështirë të gjejnë punëtorë të kualifikuar
Pavarësisht rritjes së punësimit, kompanitë po përballen me vështirësi më të mëdha për të rekrutuar staf të kualifikuar.
Sipas të dhënave të BFS-së, 33.9 për qind e ndërmarrjeve, të peshuara sipas numrit të të punësuarve, raportuan përkeqësim të situatës në rekrutimin e personelit të kualifikuar. Kjo përfaqëson një rritje prej 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin paraprak.
Perspektiva mbetet pozitive
Edhe pritjet afatshkurtra të kompanive për punësimin mbeten pozitive.
Rreth 11.3 për qind e ndërmarrjeve presin të rrisin numrin e punonjësve, krahasuar me 11 për qind në tremujorin paraprak.
Në anën tjetër, vetëm 3.9 për qind e kompanive presin reduktim të vendeve të punës. Kjo përqindje është ulur me 0.9 pikë përqindjeje.
Si rezultat, treguesi i perspektivës së punësimit është përmirësuar lehtë, duke arritur në 1.04 pikë.
/albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Baume-Schneider: Gjuhët e migrantëve janë pasuri për Zvicrën Zvicra nuk duhet ta shohë shumëgjuhësinë vetëm përmes katër gjuhëve kombëtare. Ministrja federale Elisabeth Baume-Schneider ka... -
Muriqi e dërgon Fenerbahçen në Ligën e Kampionëve -
Shqiptarja që shet vila milionëshe në Zvicër: Gentiana Ahmeti, “Immofluencerja” që po ndryshon mënyrën e shitjes së pronave -
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë
Jeta në Austri
-
Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për patentën e shoferit për Austrinë? Direktiva e re e BE-së për patentën e drejtimit sjell ndryshime të shumta për shoferët, kampistët... -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë?












