Kosova

BE-ja kërkon hetim të pretendimeve ndaj Policisë së Kosovës

Eva Palatova takoi Xhelal Sveçlën dhe theksoi nevojën për sundim të ligjit, karakter shumetnik dhe respektim të procedurave ligjore

Ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, është takuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me të cilin ka diskutuar për sundimin e ligjit dhe zhvillimet e fundit në vend.

Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Palatova ka theksuar nevojën që institucionet e Kosovës të respektojnë sundimin e ligjit dhe karakterin shumetnik të vendit, përcjell albinfo.ch.

BE-ja ka bërë të ditur se pret që pretendimet për sjellje të pahijshme nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës të hetohen.

Po ashtu, në njoftim është theksuar se çdo rrënim duhet të kryhet duke respektuar procedurat e rregullta ligjore.

“BE-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, por Kosova duhet ta bëjë pjesën e saj”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.