Lajme

Vatan Ukaj kandidat për kryetar të komunës Aspach në Gjermani

Ukaj e ka bërë publike kandidaturën përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka prezantuar edhe parimet mbi të cilat synon ta mbështesë angazhimin e tij politik në nivel lokal

Vatan Ukaj ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të komunës Aspach në Gjermani, duke bërë të ditur se synon të marrë përgjegjësi dhe të kontribuojë në formësimin e së ardhmes së komunës së bashku me qytetarët.

Ukaj e ka bërë publike kandidaturën përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka prezantuar edhe parimet mbi të cilat synon ta mbështesë angazhimin e tij politik në nivel lokal, shkruan albinfo.ch.

“Po kandidoj për kryetar të komunës Aspach. Dua të marr përgjegjësi dhe, së bashku me njerëzit këtu, të formësojmë të ardhmen e komunës sonë”, ka shkruar Ukaj.

Ai ka theksuar se për të, një politikë e mirë komunale nënkupton dëgjimin e qytetarëve, bashkimin e interesave të ndryshme, marrjen e vendimeve dhe shndërrimin e ideve të mira në rezultate konkrete.

Në javët në vijim, Ukaj ka paralajmëruar se do t’i kushtojë rëndësi të veçantë takimeve dhe bisedave me banorët, me synimin që të njohë edhe më mirë nevojat dhe prioritetet e tyre për zhvillimin e ardhshëm të Aspachut.

“Pres me kënaqësi takimet, bisedat dhe të mësoj se çfarë është e rëndësishme për ju për të ardhmen e komunës sonë”, ka theksuar ai.

Fushatën e tij Ukaj po e prezanton nën moton “Heimat. Gemeinsam. Gestalten.”, që mund të përkthehet si “Vendlindja. Së bashku. Ta formësojmë.”

Kandidatura e Ukajt për drejtimin e Aspachut i shtohet angazhimit të personave me prejardhje shqiptare në jetën publike dhe politike në Gjermani.