Projekti për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë po hyn në një fazë të re, ndërsa përgatitjet për strukturën dhe funksionimin e tij po intensifikohen.
Media franceze Intelligence Online raporton se drejtuesit e Urdhrit Bektashi po punojnë për sigurimin e statusit zyrtar të këtij mikroshteti dhe për emërimin e përfaqësuesve jashtë Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.
Në kuadër të përgatitjeve po punohet edhe për krijimin e pasaportave të veçanta dhe për një monedhë që pritet të quhet “BEK”. Tre negociatorë janë angazhuar në procesin që lidhet me zyrtarizimin e projektit.
Shteti i propozuar do të vendosej në territorin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë dhe, nëse realizohet, do të ishte një nga shtetet më të vogla në botë.
Ideja për krijimin e një shteti sovran bektashi u bë publike nga kryeministri shqiptar Edi Rama në vitin 2024. Projekti duhet të kalojë nëpër procedurat ligjore dhe institucionale në Shqipëri para se të mund të marrë formë juridike.