Shqipëria

Shqipëria synon 54.4% energji të rinovueshme deri më 2030

Shqipëria po synon një rol gjithnjë e më të fortë në tranzicionin energjetik, me objektiva që në disa tregues shkojnë përtej detyrimeve të përcaktuara për vitin 2030.

Një prej objektivave kryesore është që 54.4 për qind e konsumit final bruto të energjisë deri në vitin 2030 të mbulohet nga burimet e rinovueshme, duke tejkaluar objektivin prej 52 për qind të përcaktuar për vendin, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria është ndër ekonomitë që nuk mbështeten te qymyri për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa hidroenergjia vazhdon të mbetet baza kryesore e sistemit energjetik. Vitet e fundit është shënuar gjithashtu një rritje e shpejtë e kapaciteteve fotovoltaike.

Në sektorin e transportit, Shqipëria synon që deri në vitin 2030, 35 për qind e energjisë së përdorur të jetë e rinovueshme, niveli më i lartë mes vendeve të analizuara.

Edhe në fushën e eficiencës energjetike dhe të emetimeve, objektivat e vendit janë më ambicioze se kufijtë e përcaktuar. Shqipëria synon që emetimet të arrijnë në 10.2 milionë tonë CO₂ ekuivalent deri në vitin 2030, nga kufiri prej 12 milionë tonësh.

Në vitet e ardhshme, sfida kryesore mbetet realizimi i investimeve të nevojshme për arritjen e këtyre objektivave, përfshirë elektrifikimin e transportit, zhvillimin e infrastrukturës së karikimit dhe mbështetjen e automjeteve elektrike.