Lajme

Rritet numri i kafshimeve nga qentë në Cyrih, autoritetet nisin fushatë parandaluese

Numri i rasteve të kafshimeve nga qentë në kantonin e Cyrihut ka ngritur shqetësime, duke nxitur autoritetet të ndërmarrin masa të reja parandaluese.

Sipas të dhënave të Zyrës Veterinare Kantonale, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 860 raste të kafshimeve nga qentë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e viktimave ishin fëmijë.

Përballë kësaj situate, autoritetet kanë nisur një fushatë të re parandaluese me titull “Safely Encountering Dogs”, që synon të informojë qytetarët, e në veçanti fëmijët, se si duhet të sillen gjatë kontakteve me qentë, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të fushatës janë tre qen, Cleo, Tim dhe Lupo, të cilët përdoren për të demonstruar mënyrat e duhura të afrimit dhe sjelljes pranë qenve, me qëllim zvogëlimin e rrezikut nga kafshimet.

Përmes këshillave dhe ushtrimeve praktike, fushata synon t’u mësojë fëmijëve se si të interpretojnë sjelljen e qenve, kur duhet të mbajnë distancë dhe si të reagojnë në situata të ndryshme.

Autoritetet e Cyrihut shpresojnë që rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimi që në moshë të hershme të ndihmojnë në parandalimin e incidenteve dhe në krijimin e kontakteve më të sigurta mes njerëzve dhe qenve.