Shqipëria

Revista “Which?”: Shqipëria, destinacioni që ka mahnitur turistët me transformimin e saj

Revista britanike vlerëson Shqipërinë si një nga destinacionet që ka përjetuar ndryshimin më të madh gjatë dekadës së fundit, duke veçuar rivierën, qytetet historike dhe mikpritjen shqiptare.

Revista britanike “Which?” i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë, duke e cilësuar vendin si një nga destinacionet turistike që ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, transmeton albinfo.ch.

Artikulli vë në pah rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve, duke theksuar se Shqipëria ka kaluar nga rreth 4 milionë vizitorë një dekadë më parë në rreth 12 milionë turistë gjatë vitit 2025.

Sipas revistës, ky zhvillim e ka shndërruar Shqipërinë në një nga destinacionet më tërheqëse në rajonin e Mesdheut, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve nga vende të ndryshme të botës.

Në artikull veçohen bukuritë e Rivierës Shqiptare, e njohur për plazhet dhe peizazhet mahnitëse, si dhe Tirana, e cila përshkruhet si një qytet dinamik me një jetë të pasur kulturore.

Po ashtu, revista vlerëson qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës, të cilat janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si dhe Himarën, e cila po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve.

Artikulli thekson se Shqipëria nuk ofron vetëm plazhe të bukura, por edhe një kombinim të veçantë të historisë, kulturës dhe traditës, duke krijuar një identitet unik që e dallon nga destinacionet e tjera turistike në Mesdhe.

Një tjetër element që vlerësohet në artikull është mikpritja e shqiptarëve, e cila konsiderohet një nga arsyet kryesore që i shtyn turistët të rikthehen sërish në vend./Albinfo.ch