Lajme

Zbulohet shkaku i thyerjes së dritares në avionin e Ryanair: Pjesë të motorit goditën kabinën

Hetimet paraprake kanë zbuluar shkaqet e incidentit të rëndë që ndodhi në një fluturim të Ryanair në Greqi, ku një pasagjer 61-vjeçar u tërhoq pjesërisht jashtë avionit pasi dritarja pranë tij u shkatërrua.

Autoritetet amerikane kanë publikuar rezultatet paraprake të hetimeve lidhur me incidentin e ndodhur më 10 korrik 2026, kur një pasagjer për pak sa nuk u nxor jashtë avionit në një lartësi prej 4.500 metrash, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit të Bordit Kombëtar Amerikan për Sigurinë e Transportit (NTSB), shkaku i incidentit ishte dëmtimi i një pjese të motorit të avionit Boeing 737-800.

Hetuesit kanë bërë të ditur se njëra nga fletët e turbinës së motorit të djathtë është shkëputur gjatë fluturimit. Fragmentet e saj janë hedhur me forcë dhe kanë goditur dritaren pranë një pasagjeri, duke e thyer atë.

Si pasojë e humbjes së presionit në kabinë, një pasagjer 61-vjeçar është tërhequr pjesërisht jashtë avionit dhe ka pësuar lëndime.

Raporti paraprak i NTSB-së zbulon gjithashtu se në turbinë janë gjetur mbetje zogjsh, të cilat mund të kenë ndikuar në dëmtimin e motorit.

Megjithatë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë ende në vazhdim.

Ngjarja kishte shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi pasagjeri i ulur pranë dritares së dëmtuar i shpëtoi për pak një tragjedie që mund të kishte pasur pasoja fatale. /Albinfo.ch