Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve me partitë parlamentare lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit, përcjell albinfo.ch.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, ndërsa tha se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme për dialog edhe me partitë e tjera parlamentare.
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se procesi i konstituimit të institucioneve nuk duhet të çojë drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe organizimit të zgjedhjeve të reja, duke i cilësuar ato si të dëmshme për ekonominë dhe funksionimin institucional.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.
Pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vendosur ndërprerjen e seancës.
Bisedimet mes subjekteve politike pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, me synim arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të vendit./Albinfo.ch