Kosova

Alarm në Kosovë: Kontrollet në treg zbulojnë 93 parregullsi në produktet e qumështit

AUV analizoi 495 mostra gjatë katër muajve; gati gjysma e mospërputhjeve lidhen me praninë ose mosdeklarimin e vajit të palmës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa ndaj operatorëve që shkelin ligjin.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar 93 mospërputhje gjatë kontrolleve të zgjeruara në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, të zhvilluara nga prilli deri në korrik të vitit 2026, transmeton albinfo.ch.

Gjatë kësaj periudhe janë marrë dhe analizuar 495 mostra nga prodhuesit, përpunuesit, distributorët dhe pikat kufitare, me qëllim verifikimin e sigurisë ushqimore, përbërjes së produkteve dhe përputhshmërisë së etiketimit.

Sipas të dhënave të AUV-së, problemi më i shpeshtë ka qenë prania ose mosdeklarimi i vajit të palmës, i evidentuar në 46 raste, ndërsa janë konstatuar edhe mospërputhje që lidhen me vajra bimorë, niseshte dhe qumësht pluhur.

Kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, tha se në mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit nuk ishin deklaruar në etiketë sipas legjislacionit në fuqi, duke bërë që konsumatorët të mos kenë informacion të saktë për produktin që blejnë.

“Nëse një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, kjo duhet të deklarohet qartë në etiketë. Konsumatori ka të drejtë të dijë saktësisht se çfarë po konsumon”, theksoi Hoxha.

Ai bëri të ditur se shumë operatorë kishin licenca për përpunimin e qumështit, por jo për përdorimin e vajit të palmës apo përbërësve të tjerë zëvendësues.

Nga 93 mospërputhjet e identifikuara, në 85 raste u gjetën përbërës të padeklaruar në etiketë, ndërsa në tetë raste u konstatuan përbërës të deklaruar, por që nuk u konfirmuan gjatë analizave laboratorike.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se cilësia e qumështit të prodhuar nga fermerët kosovarë nuk është problem, por theksoi se shkeljet ndodhin gjatë fazës së përpunimit dhe distribuimit.

Ai paralajmëroi se produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu, ndërsa operatorët që kanë shkelur ligjin do të përballen me masa korrigjuese dhe monitorim të rreptë.

Sipas AUV-së, kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me synim rritjen e transparencës, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore në tregun e Kosovës./Albinfo.ch