Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka bërë thirrje kompanive të naftës që të ulin çmimet e karburanteve për konsumatorët, duke theksuar se fitimet e larta të industrisë duhet të reflektohen edhe në xhepat e qytetarëve.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump përgëzoi kompaninë Chevron për rezultatet e saj financiare, por kërkoi që ajo dhe kompanitë e tjera të sektorit të ulin menjëherë çmimet me pakicë.
“Kjo vlen edhe për kompanitë e tjera të naftës… dhe ulni çmimet e naftës për konsumatorin tuaj (me pakicë!), tani!”, shkroi ai.
Reagimi i presidentit vjen pasi Chevron raportoi një fitim neto rekord prej 12.1 miliardë dollarësh në tremujorin e fundit, rezultat i luhatjeve në tregjet globale të energjisë dhe ndërprerjeve të furnizimit të lidhura me konfliktet në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Chevron, Mike Wirth, paralajmëroi se tensionet me Iranin dhe sulmet e rebelëve Huthi ndaj infrastrukturës energjetike saudite po rrisin rrezikun për furnizimin global me naftë.
Sipas tij, përveç Ngushticës së Hormuzit, edhe Deti i Kuq dhe Deti i Zi mbeten zona me rrezik të lartë për transportin e naftës, duke shtuar pasiguritë në tregjet ndërkombëtare të energjisë./Albinfo.ch