Lajme

Shqiptarja Elona Latifi finaliste e çmimit prestigjioz të BBC-së në Britani

Vlerësimi nga BBC Radio Northampton njeh kontributin e saj dhe të Albanian Cultural Association në mbështetje të komunitetit shqiptar.

Shqiptarja Elona Latifi është përzgjedhur finaliste e BBC Radio Northampton Make a Difference Awards 2026, në kategorinë “Great Neighbour Award”, një çmim që vlerëson individët me kontribut të veçantë në komunitet përmes angazhimit social, vullnetarizmit dhe ndihmës ndaj të tjerëve, transmeton albinfo.ch.

Ky nominim vjen si njohje për punën shumëvjeçare të Latifit dhe të Albanian Cultural Association, organizatë që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar në Northampton dhe më gjerë.

Për Elonën, ky vlerësim nuk përfaqëson vetëm një arritje personale, por edhe një mirënjohje për të gjithë vullnetarët, partnerët, mbështetësit dhe familjet që kanë kontribuar në realizimin e misionit të organizatës.

Përgjatë viteve, Albanian Cultural Association ka organizuar iniciativa të shumta për të luftuar izolimin social, për të përmirësuar mirëqenien e komunitetit, për të mbështetur familjet në nevojë, për të fuqizuar gratë, për të ndihmuar të moshuarit dhe për të promovuar kulturën shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.

Finalizimi i Elonës në këtë çmim prestigjioz të BBC-së konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe për kontributin e komunitetit shqiptar në jetën shoqërore të Britanisë së Madhe./Albinfo.ch