Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar kompanive të mëdha të naftës, përfshirë Chevron, që të reduktojnë çmimet e karburanteve për konsumatorët. Sipas tij, fitimet e mëdha të industrisë duhet të shoqërohen me çmime më të përballueshme për qytetarët.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump përgëzoi rezultatet financiare të Chevron, por theksoi se kompanitë e naftës duhet të ndërmarrin hapa për uljen e çmimeve në tregun me pakicë.
“E njëjta gjë vlen edhe për kompanitë e tjera të naftës – ulni çmimet për konsumatorët tuaj tani”, shkroi presidenti amerikan.
Deklarata e Trump vjen pasi Chevron njoftoi një fitim tremujor prej 12.1 miliardë dollarësh, i ndikuar nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ndërprerjet e furnizimit si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mike Wirth, paralajmëroi se situata në rajon, veçanërisht tensionet me Iranin dhe sulmet e rebelëve Huthi ndaj infrastrukturës energjetike saudite, paraqesin rrezik për furnizimet globale me naftë.
Ai shtoi se përveç Ngushticës së Hormuzit, edhe Deti i Kuq dhe Deti i Zi mbeten zona me pasiguri të lartë për transportin e energjisë, duke ndikuar në tregjet ndërkombëtare të naftës.